Monday, May 9, 2016

Projekti Amadeus.

Projekti final i Amadeus Palace i vili ka te beje me dy ndertasa ku njera esht ne qender (me kupole ) tjetra qe eshte ne formen e shkronjes U e cila mbulon pjesen e pasmen te nderteses qendrore.

Tuesday, May 3, 2016

Udhetim brenda Amadeus Palace

Një ndërtesë madhështore që ngrihet mbi kodër e që vihet re lehtësisht kur hyn apo del nga Tirana, për në Durrës apo aeroport. Një universitet, mund të kenë menduar disa në fillim. Askush nuk mund të rrinte indiferent ndaj ndërtesës që po hidhte shtat majë kodrës dhe fjalët sapo kishin nisur. Kur kupola e kolonat u dalluan ndoshta dikush mendoi për një katedrale. Kur fasada po merrte identitet dhe u vendosën edhe statujat e tetë mbretërve ilirë, që për disa ditë ishin ekspozuar edhe në hyrje të Muzeut Kombëtar, u kuptua që ndërtesa do ishte sekulariste. Një kazino luksoze? As njëra, as tjetra dhe as tjetra! Do të jetë një hotel. Pasi u bindën për këtë, hamendjet nisën të merreshin me emrin e pronarit, por edhe ato kanë qenë të gabura. Pronarët dhe ideatorët e këtij hoteli, që do të quhet Amadeus Palace , si emri i kompozitorit Mozart, është çifti Besim Elshani dhe Elisabeta Gjoni.
Emisioni i Tv Klan, "Jo vetëm modë", i Floriana Garos, hyri me kamerat e tij, pak kohë më parë në mjediset e këtij hoteli, ku ende punohet, për të zbuluar për herë të parë, për sytë e gjithë publikut, sekretet e kësaj ndërtese që si pak të tjera e ka ngacmuar kureshtjen e qytetarëve, por edhe për të prezantuar njerëzit që e kanë ngritur idenë e tij, një simfoni e përkryer prej guri, druri e shumë lëndë të tjera ekologjike e metalesh të çmuara.
Pa e tepruar, më shumë sesa një hotel, të ngjan me një galeri arti, ku qëndrojnë të rreshtuara skulpturat e punuara që më pas do të zënë vend në pjesë të ndryshme të hotelit. Më shumë sesa një sheshpunimi për ngritjen e një ndërtese i ngjan me një punishte arti, ku pareshtur punohen skulptura guri, apo druri, punohet mbi fletët e arit, që mbulojnë tavanët, gdhenden këmbët e krevatëve, pikturohen me dorë komodinat. “Çdo dhomë ka karakterin e saj unik, por shpirtin e hotelit”, thotë Elisabeta gjatë emisionit “Jo vetëm modë” dhe pamjet tregojnë afresket e ndryshme, unike, në tavanë apo mure.
Nëse arti shfaqet në çdo detaj, shtrihet në çdo sipërfaqe e ngrihet në gjithë lartësinë e kësaj godine, kjo nuk do të thotë që struktura dhe elementët inxhinierikë, elementet e ndriçimit, termoizolimit, akustikës janë lënë në plan të dytë. Standardet e larta që ka respektuar ky hotel bëjnë që mbi parketin e punuar mos të dëgjohen hapa, apo që zhurmat e arterieve rrugore drejt Tiranës mos të depërtojnë brenda mureve. Janë përdorur gurë të plotë, për të ruajtur freskinë në verë dhe ngrohtësinë në dimër dhe hapësirat janë konceptuar për t’u garantuar komoditet të plotë klientëve. Vërtet duket si një muze arti, por për asnjë çast, nuk është harruar që kjo është një ndërtesë në shërbim të njerëzve.
Ky hotel, si  thotë Elshani, do u ngelet shqiptarëve për artin dhe punën e artizanëve. Në Evropë mund të ketë shumë ndërtesa të këtilla, por tani njerëzit kanë ndaluar së krijuari vepra të tilla dhe atij i vjen mirë kur sheh një ringjallje të kësaj tradite në Shqipëri. Janë rreth 120 artistë të zhanreve të ndryshme, skulptorë, piktorë, mjeshtër të gurit, drurit, hekurit, gdhendjes që prej muajsh kalojnë orë të tëra pune në realizimin e veprave të ndryshme të artit.